Tue. Dec 10th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Pse është demokratike djegia e mandateve dhe kontrata me Presidentin që propozon Plasari (INTERVISTA)

23 min read

Studiuesi Aurel Plasari ndërsa komentonte situatën politike në vend në emisionin “A Show” të Adi Krastës, e konsideroi veprimin e opozitës për djegien e mandate si një vendim të marrë në mbrojtje të demokracisë.

Plasari kujton këtu mungesën e një gjykate Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe sipas tij veprimi i opozitës është marrë në rrethana demokratike, duke mos qenë një veprim i jashtëzakonshëm e që nuk ka ndodhur më parë, siç është komentuar.

Ideja e Plasarit është që kur merr përsipër të qeverisësh duhet të marrësh parasysh të dy gjysmat e elektoratit, njërën prej të cilave e përfaqëson opozita. Sipas tij, kryeministri Rama nuk e ka bërë këtë.

Patjetër, unë e gjykoj se opozita ka marrë një veprim të rëndësishëm që merret vetëm në rrethana demokratike, në mbrojtje të demokracisë. I lëmë ato figurat me djegie. Ka refuzuar pjesëmarrjen në Parlament, i cili sipas opozitës ishte degraduar, funksiononte në një vend pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa Kushtetutë, në një republikë shumë të çuditshme pa Kushtetutë, pa Gjykatë të Lartë dhe me shumë handikape të tjera. Me një Parlament arrogant, me një kryeministër arrogant i cili vazhdimisht thotë “kam votat, kam votat” dhe kujton se votat ai i ka vetëm për atë pjesë që ia ka dhënë votën. Dhe harron që opozita ka një elektorat. “, janë fjalët e Plasarit.

Gjatë intervistës me Krastën, Plasari hodhi idenë e tij për një ndryshim në mandatin 4-vjeçar. Ai thotë që për të shmangur mosmbajtjen e premtimeve, do ishte më mirë nënshkrimi i një kontrate te Presidenti i Republikës. Nëse kemi të bëjmë me shkelje kontrate, mandati përfundon dhe s’ka pse të presim 4 vite të tjera për largimin e një keqqeverisjeje.

“Unë mendoj se ajo e katër vjetëve duhet të ndryshojë me ndryshimin e legjislacionit të zgjedhjeve, duke kërkuar që gjithçka që justifikohet me propagandën, për premtimet elektorale të jetë një kontratë e të shkruhet diku. Të nënshkruhet aty ku merren portofolet, te Presidenti i Republikës dhe të ketë një instancë garancie që t’i thotë: “Zotëri u bëre dy vjet, ke thënë do bëj këtë për një vit, nuk e ke bërë. Ke shkelur këtë, ke shkelur atë… Ke bërë gjëra që nuk futen fare në programin tënd. Ke ndërhyrë të shembësh një stadium që nuk hyn fare në programin tënd. Ke ndërhyrë të prishësh ndërtesat historike që nuk futen fare në programin tënd…” “, tha studiuesi.

Plasari e quajti marrjen e votave pa mbajtur premtimet, si vjedhjen më spektakolare të tyre. Sipas tij kjo është katastofë.

INTERVISTA E PLOTË

Krasta: Dua të të pyes, mendon që profesor Gjinushit, në ndonjë kënvështrim, në ndonjë sens, i kanë rënë në qafë me gjithë atë diskutim të madh që u bë në raport me pozicionin e tij të Akademisë ose jo?

Plasari: Para nja dy vjetësh kam shkruar diçka me humor bolesk akademik, për historitë e çuditshme të Akademisë së modelit të akademive, Akademia Franceze ish-mbretërore, pastaj të Republikës edhe synimi ka qenë për ta relativizuar këtë çështje, që nuk mund të trajtohet çështja e një Akademie si një çështje në ekstrem, në skaj. Sikurse janë dhe çështjet e çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, që shpesh keqkuptohen që ‘po u dha ky çmim, po nuk u dha është katastrofë’.

Franca ka këto zyrtaret që njihen, jo privatet që janë 28 Akademi. Prandaj mendoj që duhen marrë me qetësi dhe me relativitet. Ajo akademi sigurisht ka patur nevojë për t’u reformuar dhe ka nevojë ende patjetër. Reformimi nuk është një proces që fillon, kryhet edhe mbyllet.

Krasta: Por në këto zhvillime, sa decentralizuese, sa globalizuese? Ju keni mendimin se Shqipërisë i duhet kjo Akademi.

Plasari: Unë po shprehem me kujdesin e një njeriu që nuk është anëtar i asaj Akademie dhe nuk ka kërkuar të jetë anëtar i saj. Unë nuk kam kërkuar ndonjëherë të jem anëtar i asaj akademie, kështu që çështja për ta rinovuar u përket dhe u takon atyre që kanë kërkuar dhe janë integruar në atë Akademi.

Në qoftë se nuk janë integruar për privilegje, por janë integruar për ta përmirësuar u takon atyre. Është situatë që kërkon kujdes për t’u shprehur, të paktën nga ana ime nuk mund të jap mësime sepse nuk më kanë pyetur. As unë nuk kam kërkuar të jem pjesë e asaj Akademie, të paktën deri më sot. Nesër, pasnesër nuk dihet. Por kam patur marrëdhënie korrekte me akademinë, në veprimtaritë shkencore ndërkombëtare, në promovime botimesh, në një çmim të një konkursi ndërkombëtar që më kanë nderuar.

Krasta: Ju e mbështesni ekzistencën e saj në Shqipëri?

Plasari: Kjo është si nja dy analistë që keni ju të krimeve, që thonë mund të kenë ikur ata në drejtim të paditur, mund të kenë ikur dhe nga veriu dhe nga jugu dhe nga e majta dhe nga e djathta.

Strukturat akademike janë të nevojshme në një vend. Të mos harrojmë që strukturat akademike varen nga shteti, jo më kot e kujtova francezin që ka themeluar Charles, ministri a kryeministri më duket i mbretit Luigi XIV, besoj. Se nga këta kritikët që hapin librat tani dhe thonë ja ky tipi, i tha filan sulltani, a thua se unë kam hapur këtu enciklopedinë, nuk është ky sulltan është ai. Dhe hapin librat (qesh). Por mbaj mend që është viti 1635.

Pra, këto akademi që varen nga autoriteti i lartë do ta vuajnë këtë karakteristikë, në kuptimin e pavarësisë. Pavarësia absolute është shumë e vështirë për t’u arritur. Mund të arrihet autonomia. Ne edhe për sistemin universitar flasim për autonomi universitare. Po të kujtojmë lindjen e modelit të akademisë unë kam cituar një fjalim të parë që mbajti mbreti Luigi. U tha: Që ta kuptoni ju akademikë se sa ju vlerësoj unë, mjafton të mendoni që unë ju kam besuar juve çështjen më të rëndësishme që ekziston, jetëshkrimin e jetës sime. Sigurisht kohët kanë kaluar, mbretëritë, republikat, demokracitë, etj, por ky mëkati fillestar shqetëson vazhdimisht.

Dhe s’kanë pse të mbarojnë përpjekjet për t’u çliruar nga ky mëkat fillestar sikurse në kohën e Luigit simetrike është koha e Enver Hoxhës, që ajo akademi është themeluar me një vendim politik, të Komitetit Qendror. Listat i ka bërë Komiteti Qendror. Sigurisht janë disa emra aty që patjetër janë emra autoritarë, nuk mund të vihen në diskutim. Janë disa emra të tjerë që janë për arsye politike. E them për ato listat e para, po t’i gjykojmë ato.

Tani çështja është se ai brezi i vjetër që del dhe në pension çfarë promovon? Sepse është rreziku i amebës që promovon njerëz si vetvetja, të rinj si vetvetja. Në qoftë se flasim për rinovimin e elitave, elitat janë seleksion. Në politikë është seleksion politik. Në shoqëri është seleksion social. Seleksion shkencor, kulturor. Por në qoftë se ne kemi trashëguar një elitë të emëruar nga Komiteti Qendror i një partie, pra një elitë pjesë e nomeklaturës, çfarë do të riprodhojë ajo, çfarë do të promovojë? Pinjollë të llojit ose të modelit të vet. Ky është rreziku.

Por mendoj se i bie tashmë të paktën 30 vjet, mbas 50 vjetësh ndoshta do të jetë stabilizuar kjo. Nuk e them me humor, as me cinizëm.

Krasta: Kjartë, vetëm se tingëllon një periudhë vërtet e mjaftueshme për t’u kthjelluar ujërat.

Plasari: Më kujtohet ajo situata që është e përshkruar në librin e Petro Markos. Nuk e di kush e tregon, e bija apo ai vetë që është pas xhamit dhe në ’90-ën bërtasin ata që protestojnë “Petro Marko, Hasta La Vista”. I shkojnë në shtëpi dhe ai i sëmurë, i mbështetur te xhami thotë: Por, por që të pastrohet gjithë kjo që ka ndodhur në Shqipëri do të duhet që të kalojnë 50 vjet. Pra do duhet ende kohë.

Krasta: Jemi ne në krizë, në një krizë komplekse politike të vendimmarrjes, demokracisë? Mund të quhet kjo për ty një krizë?

Plasari: Jemi në një varg atentatesh shumë të rënda që i janë bërë demokracisë në Shqipëri, për ta shlyer demokracinë dhe për ta zëvendësuar me metoda dhe operacione që mund të quhen neofashiste.

Krasta: Unë e thashë dhe kur e filluam intervistën dhe jam shumë i kënaqur që do të ta bëj ty këtë pyetje. Kam në radhë të parë një kureshti personale të përballshme. Kryeministri ka folur herë pas here për atë që dëshiron të bëjë. Me çfarë e përball ai? Ose kujt i jep në një kuptim një farë llogarie për vendimmarrjen e tij dhe për sjelljen e tij dhe ka thënë: Unë e kam betejën me historinë. Sipas mendimit tënd si studiues, këtë burrë 55-vjeçar, që ka qenë një periudhë të gjatë kryetar bashkie dhe pastaj 6 vjet, dhe nuk e di se sa do shkojë dhe si, si do t’i qaset historia?

Plasari: Ai vetë është futur në histori, këtë s’mund ta mohoj. Por profesionalisht mund të thuhet se ende nuk është bërë ngjarje historike. Por vetëkuptohet që për t’u futur është futur në histori.

Nuk është e vështirë të futesh në histori. Mendoj se është nxituar kur e ka thënë këtë se në histori futen dhe kriminelë të mëdhenj, gangsterë të mëdhenj. Nuk ka ndonjë parim që në histori futen burrat e mirë. Madje gjithë enormitetet njerëzore futen në histori, çështja është të futesh në histori si burrë i mirë e i nderuar që të mbajnë portretin dhe të çojnë lule, jo si burrë që i pshurrin varrin si para disa kohësh një diktatori, si burrë që përfundon me kokëposhtë.

Pra ka shumë mënyra si futesh në histori, çështja është llogarit si do të futet. Këtë ne nuk mund ta themi se ende është realitet kur personi dhe personaliteti i tij, por nuk është shndërruar ende në ngjarje historike.

Ka kujdes nga njerëzit që e njohin historinë kur thonë se kjo është ngjarje historike apo johistorike. Është bërë ngjarje historike tashmë ’90-ta, apo jo. Tani mund të shkruhet libër qetësisht për ta, ekziston problemi që ka ende njerëz të gjallë që mund t’u pëlqejë mund të mos u pëlqejë. Por historia nuk pyet, shkrimi i historisë nuk pyet për këtë. Por distancimi është i nevojshëm. Nuk mohohet fakti që ai në histori e ka futur veten. Nuk e ka futur kush me zor. Madje me këtë që ka thënë e ka patur me shumë dëshirë, çështja është si do mbetet aty.

Krasta: Ky është një muaj shumë interesant në Shqipëri. Për t’i dhënë elementët e skakierës është kështu: maxhoranca pretendon se ajo nuk ka argumentet e duhura, për të ndërhyrë që Shqipëria të zgjidhë një ngërç, një situatë krize e kështu me radhë, ndërsa opozita ka bërë një gjest të jashtëzakonshëm siç është djegia e mandateve dhe disa protesta me episode, që për mendimin tim është një ndërmarrje shumë e madhe organizative. Si e lexon ti orë pas ore, këtë periudhë? Ka ngjallur tek ti një kuriozitet për ta analizuar.

Plasari: Patjetër, unë e gjykoj se opozita ka marrë një veprim të rëndësishëm që merret vetëm në rrethana demokratike, në mbrojtje të demokracisë. I lëmë ato figurat me djegie. Ka refuzuar pjesëmarrjen në Parlament, i cili sipas opozitës ishte degraduar, funksiononte në një vend pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa Kushtetutë, në një republikë shumë të çuditshme pa Kushtetutë, pa Gjykatë të Lartë dhe me shumë handikape të tjera.

Me një Parlament arrogant, me një kryeministër arrogant i cili vazhdimisht thotë “kam votat, kam votat” dhe kujton se votat ai i ka vetëm për atë pjesë që ia ka dhënë votën. Dhe harron që opozita ka një elektorat. Opozita nuk janë vetëm ata 10-15 që marrin nëpër gojë këta.

Opozita është një elektorat që i ka votuar, është një gjysëm. Tani kjo gjysëm është plus pak, minus pak, kjo nuk ka asnjë rëndësi. dikush që merr përsipër të qeverisë duhet të llogarisë që ka marrë përsipër këto dy gjysmat. Madje po qe e vogël ajo gjysma tjetër duhet të kesh edhe më shumë kujdes ndaj gjysmës më të vogël.

Por në këtë rast ne kemi të bëjmë me një njeri që nuk e kupton, nuk i ka kuptuar ndonjëherë këto parime demokratike. Dikush do ia ketë mësuar atëhere kur lypte, lypte vota dhe thoshtë: “Ministër do të thotë shërbëtor, kryeministër shërbëtor”. Befas kur mori votat u harrua shërbëtorllëku, arroganti, Zoti dhe Sulltani. Kjo është diferenca.

Dhe në këto rrethana opozita ka bërë një veprim në mbrojtje të demokracisë dhe në rrethana demokratike. Kurrë kryeministri nuk e ka thënë që keni bërë veprim demokratik. As të huajt që kanë lexuar tekstet e fashizmit dhe të neofashizmit dhe e dinë se çdo të thotë të tërhiqet gjysma nga Parlamenti. Gjysma e vogël. Dhe i jashtëzakonshëm nuk është fare se janë tërhequr në ’24 dhe kanë vajtur në Vlorë gjysma tjetër dhe kanë vazhduar punimet. Dhe çuan në atë përmbysje të ’24-ës, dhe në gjithë atë histori pastaj me nuanca dhe tragjike dhe komike, ku ata që erdhën në ’24-ën organizuan gjyqin special dhe dënuan me vdekje Ahmet Zogun, pastaj erdhi Ahmet Zogu me forcat që dihet si erdhi dhe dënoi me vdekje Fan Nolin dhe të tjerët dhe siç kanë thënë të dy vdiqën në krevat. Secili në krevatin e vet.

Pra, këto nuk janë ngjarje që nuk i ka parë bota dhe nuk janë dëgjuar.

Krasta: Të qëndrojmë këtu, sipas mendimit tënd opozita në Shqipëri, me djegien e mandateve ka bërë një veprim demokratik?

Plasari: Me refuzimin për të marrë pjesë në një Parlament që ajo e ka quajtur ilegjitim me gjithë të dhënat që ka renditur. Ky është vendim i opozitës. Është vendim demokratik për mbrojtjen e parimeve demokratike.

E dyta: Arrogantët që qeverisin harrojnë se këta deputetë nuk janë ish-deputetë, këta janë deputetë se i kanë votat. Këta kanë hequr dorë nga ushtrimi i detyrës së bërësit të ligjit në një Parlament të tillë të deformuar. Por votat nuk ia ka hequr njeri. E kam shkruar një herë, e kam shkruar dy herë dhe këta vazhdojnë të thonë ish-deputetët. Si ish-deputetët? Ata janë deputetë! Edhe nëse vritet ndonjëri prej tyre, ai vdes si deputet se i ka votat, nuk ia ka hequr elektorati ende. Dhe nuk i ka hequr dhe t’ja japë këtij tjetrit.

Meqë janë socialistë të mësojnë nga socialistët, ai himni që i kanë bërë atij francezit: “Në varrim dhe lart nga 100 mijë vetë për në varrezë u shoqëruan, o kandidat, o deputet i atyre që u pushkatuan”.

Domethënë, edhe kur u pushkatuan ata, nuk ishin bërë votime të reja që të pushkatuarit t’ua hiqnin votën. Pra, dhe të dalë t’i pushkatojë ky të gjithë ata votuesit e opozitës, kjo nuk i çbën ata si përfaqësues të atij elektorati.

Ata kanë hequr dorë nga ushtrimi i detyrës në Parlament, në një Parlament që e kanë quajtur me argumentet e tyre, të inkriminuar.

Krasta: Ne po i afrohemi datës 30 dhe ka një dinamikë. Po ta shohësh me vëmendje, kryeministri në stacione të ndryshme televizive, por dhe në takimet me elektroratin e vet po thotë: “Do të ndodhë, do i fitojmë të gjitha bashkitë. Nuk tërhiqem.”

Ndërkohë po ta shohësh me vëmendje, edhe Basha e ka militarizuar të folurën por edhe njerëzit që dalin në shesh, druri që hanë e druri që japin, nervozizmi që kanë, tregon që janë shumë të bindur për atë që bëjnë. Pa pretenduar se do shohim filxhanin, sipas informacioneve që ti ke, ka një shqetësim sot se mund të ketë një përplasje civile, sipas asaj që ti mendon, çfarë do të ndodhë në datën 30?

Plasari: Unë mendoj që kryeshërbërori mund të shkojë drejt asaj aventure sepse aventurat për të bërë diçka që nuk është bërë të japin një kënaqësi. Sidomos atij që mendon historinë. Të futem në histori si ai që bëra një palë zgjedhje pa opozitën. Ja me këtë shënohet, apo jo?

Dhe do thuash ti ose këta që dëgjojnë: Po qeverisja? “Po çfarë qeverisje”- thotë. “Të hyj në histori që e bëra këtë, por si përfundoj nuk ka rëndësi.” Pra ka shumë gjasë dhe të bëhet. Kjo e thellon procesin e konfliktit politik sepse deri ku mund të shkojë ky thellim, rëndësi ka që kjo dikur do zgjidhet. Kjo çështje dikur do mbarojë.

E dëgjova dhe mikun tim që fliste më përpara. Unë mendoj se ajo e katër vjetëve duhet të ndryshojë me ndryshimin e legjislacionit të zgjedhjeve, të proceseve, duke kërkuar që gjithçka që premtohet në propagandën, premtimet elektorale, të jetë një kontratë e të shkruhet diku. Kjo kontratë të nënshkruhet diku. Të nënshkruhet aty ku merren portofolet, te Presidenti i Republikës dhe të ketë një instancë garancie që ti thotë: “Zotëri u bëre dy vjet, ke thënë do bëj këtë për një vit, nuk e ke bërë. Ke shkelur këtë, ke shkelur atë… Ke bërë gjëra që nuk futen fare në programin tënd. Ke ndërhyrë të shembësh një stadium që nuk hyn fare në programin tënd. Ke ndërhyrë të prishësh ndërtesat historike që nuk futen fare në programin tënd…”

Çdo gjë që justifikohet me propagandë elektorale por që janë premtime të cilave qytetari u jep votën, duhet të jetë e sanksionuar në një kontratë. Kontratë në ajër nuk ka se kontratë në ajër mesa duket këta, gjithë palët që kanë qeverisur këtu nuk e kanë bërë. Por të paktën të jetë një kontratë e nënshkruar, që e kam kërkuar votën, 1-5… premtime që ke, afatet për to, marzhin e afateve, por që ka një kriter deri ku shkon. “Kam premtuar që nuk do shtoj taksat”- i ke shtuar. Zotëri ti ke shkelur këtë kontratë. Ja ku janë argumentet dhe nuk ke pse të thuash “do presim të kalojnë katër vjet”. Jo nuk presim. Ti ke gënjyer ose ke qenë i paaftë ta realizosh këtë kontratë. Ke marrë votat dhe në krahasim me këtë që thonë për vjedhjen e votave, ku ka më super metodë të vjedhjeve të votave sesa të premtosh gjëra, të marrësh vota dhe si bën. Ose e kundërta.

Kjo është aritmetikë e klasës së parë. Është universitare, akademike ky lloj abuzimi me marrjen e votave. Të marrësh vota me premtime që nuk i realizon. Të marrësh vota për të bërë diçka dhe të bësh gjëra të tjera për të cilat nuk e ke lajmëruar atë të cilit i ke marrë votën. Nuk i ke thënë që do prishim në këto zona, nuk i ke thënë që do vendosim trarë për të paguar kalimin. Mund të jenë të nevojshëm, Po, por thuaja. Që ai ta dijë ta japë apo jo votën. Nëse ti nuk ua thua, i bie që ti do ta gënjesh. Kjo është vjedhja e votës, nuk ka vjedhje më të sofistikuar dhe më të hapur sesa kjo.

Të marrin gazetarët gjithë premtimet që kanë bërë, kanë thënë gjë që do vëmë nëpër rrugë kombëtare pagesat? Jo, sepse nuk e kanë thënë. Se kanë patur frikë se nuk do t’i marrin ato vota. Pra kanë marrë votat duke fshehur atë që do bëjnë. Kjo është më e rëndë. Kjo është katastrofë, e turpshme.

Krasta: Dua të ndaloj vetëm një sekondë këtu për ta kuptuar. Sot ka një tendencë. Kanë njerëzit një përpjekje për t’i treguar klasës politike shqiptare… fjala vjen ju këtë po bëni sot. Po elaboroni, po bëni të qartë një marrëdhënie: Ti bën propagandë, nuk jep llogaridhënie dhe pastaj…”

Plasari: Thuaje më shqip: Ofrohet që do jetë shërbëtori im.

Krasta: dhe nuk është shërbëtori yt…

Plasari: Dhe shërbëtori tani më thotë rri urtë ti, se unë të shemb këto ndërtesa që e di unë. S’ka, asnjë koncept demokratik nuk ekziston këtu.

Krasta: Vetëm se partia e tij, militantët e partisë së tij, njerëzit që punojnë me të, ata thonë që ju jeni të çmendur. Nuk e kuptoni që nuke meriton populli shqiptar këtë nivel të lartë që ka Rilindja dhe përfaqësuesit e saj.

Plasari: Të presim pas 100 vjetësh, kur të krijohet një popull që e meriton dhe atëhere mundet. Mund të jetë një gjeni që nuk është për këtë kohë. Një heroi i kohëve që do vijë, unë nuk e kam dëgjuar këtë arsyetim por mundet ëë. Të presim kur të vijë koha që ky popull të jetë i gatshëm për të dhe të qeveriset prej një shërbëtori të tillë.

Krasta: Për marrëdhënien e kryeministrit me ministra që dihen se janë hajdutë, ose për shembull për veprime koncensionesh shumë spektakolare, kanabizimi që doli jashtë kontrollit. Në mbrojtje të tij thonë këtë koncept: që këtyre iu duhet të bëjnë disa marrëveshje të turpshme në interes të zhvillimit të vendit. Duhet të kalojnë në ca vuajtje të mëdha të prekjes të së keqes, me qëllim që Shqipëria të eci përpara dhe të zhvillohet shumë, duhet t’i bëjnë këto gjëra që nuk janë edhe aq të këqija, thonë mbrojtës të tyre.

Plasari: Kjo është krejt logjika që të thashë unë e neofashizmit. Këtë logjikë e ndjej tek të paktën dy ministra të tij siç e ndjej edhe tek ndonjë ndërkombëtar i rëndësishëm. Psh, kur propagandojnë me të tepërt që nuk është në interes të demokracisë, vijimi i vazhdueshëm i protestave, dhuna etj…

Këta duan t’i bëjnë njerëzit budallenj. Psh, Luigi Soreca mendon se këtu ka budallenj. Ky ka dalë nga llagëmet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë dhe mendon që këtu ka të bëjë me një popull si ata gangsterët dhe mafia e Italisë që nuk kanë lexuar dhe nuk kuptojnë. Dhe nuk u thotë të vërtetën që demokracia është arritur edhe falë ndeshjeve të mëdha publike nëpër rrugë, edhe falë kryengritjeve, vetë demokracia është rrjedhojë e këtyre ndeshjeve, kryesisht nga e majta. Psh 8-orëshi i punës, ndalimi i punës së fëmijëve, pushimet, të drejtat e grave, e drejta e grave për votë etj. Janë arritur duke përgjakur rrugët, ku e kanë mësuar këta këtë demokraci që u arrit në mënyrë paqësore? Po BE-ja që propogandojnë ata, Europa e sotme..

Krasta: Parisi…

Plasari: Ku është ngritur, ku është ngritur? Është ngritur mbi gërmadhat e luftës së dytë të një konflikti katastrofik, me miliona njerëz për të arritur këtë që Luigi Soreca të paguhet si një eurokrat. Kështu është arritur. Këta propagandojnë të kundërtën se kujtojnë që këtu kanë gjetur një popull që nuk di histori, që nuk di fjalimet e Musolinit, në të cilat tezat janë shumë të ngjashme me tezat e këtyre. Janë shumë të ngjashme! Për hir të paqes kombëtare, për hir të kësaj…

Krasta: Zhvillimit…

Plasari: Vetëm demokracitë nuk i zuri në gojë Musolini se i kishte demokracitë plurokrate, ato të mëdhajat, kishte një demokraci të llojit të vetë. Këto janë shenjitë e tezave neofashiste që përhapen në Shqipëri nga ndonjë ndërkombëtar i rëndësishëm por edhe nga ministra të kryeshërbëtorit. Dhe, unë do u rekomandoja të lexojnë një nga librat më të rëndësishëm, zakonisht thuhet best seller-a, edhe best seller-a, i tillë është po nuk nisem nga best seller-i, “The liberal fascism”, që trajton se si, kapitulli më i rëndësishëm 60 faqe, fashizmi musolinian u prodhua nga e majta, nazizmi hitlerian u prodhua po nga e majta. E djathta nuk e donte, dikur u detyrua të bashkëpunonte, aristokracia ushtarake, bankat e mëdha etj etj dhe deri në ditët tona ku tregon se ç’përfaqësojnë forca të tilla të dyshimta dhe potenciale me rrezik për demokracinë si aleancat politike Obama dhe Hillary Clinton. Këtë libër kush mundet bën mirë ta lexojë, “Fashizmi liberal”, “Le liberal fascism”.

Për t’u përkthyer nuk diskutohet se ja mund t’ua përktheja unë, po kush do ta botonte në Shqipëri?! Ja më thuaj ti një botues, të them unë jo, se ka këto lidhje. (Krasta qesh)

Plasari: Sepse edhe botuesit janë të ngjashëm me ndërtuesit dhe të tjerët, kanë interesat, lidhjet, pra këtu kemi arritur. Një libër të tillë unë kam 3-4 vjet që e rekomandoj edhe në “Facebook”, lexoheni, e gjeni edhe në gjuhë të tjera në të cilat është përkthyer.

Të kuptoni se si në sistemet pseudoliberale, kinse demokratike, lind një lloj fashizmi i ri pikërisht me këto lloj teza, ku përfshihen edhe lëvizjet e gjelbëra dhe ku përfshihet gjithë marrëdhëniet me historinë, monumentet e kulturës, me traditën etj etj.

Krasta: Dua që në fund të kësaj intervistës sonë që shkon shumë shpejt Aurel Plasari, të të sjell në vëmendje, të më japësh një mendim në raport me një element, për të cilin sot nuk e di pse nuk flitet aq sa duhet, i cili do të duhej të ishte pjesë e një doktrine panshqiptare, nuk është. Fjala vjen. Ti mban mend diskutimet e mëdha që u bënë Thaçi-Vuçiç-Rama për korigjimin, pastaj ajo “vdiq” si një iniciativë në atë takimin e famshëm të Berlinit po ndërkohë një fenomen, sot i diskutuar nëpër gazeta, nëpër portale që Kosova është shumë e mërzitur, jo vetëm nga Serbia, të cilës i ka vendosur një taksë por në sjelljen ndaj saj, në lëmin e tregtisë është e mërzitur shumë nga Shqipëria.

Shqipëria, sipas saj ka një sjellje egoiste, unilaterale, nuk e sheh me një lloj dashamirësie, Shqipëria bëka 10 milionë, Kosova bëka 1 milion aq sa Kosova qenkë shumë e mërzitur, ajo mund të mbyllë kufirin dhe mund të vendosi madje edhe një taksë për Shqipërinë çfarë do kishte qenë në fakt jashtëzakonisht skandaloze dhe e turpshme.

Dua të të them një shqetësimin tim. Se ç’kam një frikë që ajo që do të ndodhë midis Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë e njëjta gjë që ka ndodhur midis Gjermanisë dhe Austrisë. Dhe meqënëse jemi gjallë, nuk janë gjyshërit dhe prindërit tanë, kjo do kishte qenë për mua jashtëzakonisht skandaloze dhe e turpshme. Një rrëshqitje aberracioni, i tmerrshëm i marrëdhënies natyrale që do duhet.

Si e sheh ti sot raportin midis një shqiptari të Shqipërisë dhe një shqiptari të Kosovës? Jo një personalisht, po…

Plasari: Unë e shoh raport normal. Kosova ka kaluar 100 vjet jetë në një sistem tjetër, regjim tjetër. Janë mbresuar, janë formuar edhe disa karakteristika të tjera që lidhen si me jetën brenda atij formacioni të madh po edhe me situata të tjera krejt të ndryshme nga situata e shqiptarëve të Shqipërisë.

Po marrim shembull mundësinë e lëvizjes, daljen për ato vende. Dhe që të ekzistojnë ndryshime të tilla unë nuk shoh asgjë të keqe, nuk e shoh shqetësuese, madje ndonjëherë ka fenomene kërshërore që përbëjnë një pasuri, siç është gjuha e rrymave bashkëkohore të këngëve estravagante, e cila nuk është se nuk e flasin dot standardin po është një gjuhë e përshtatur në atë mënyrë jo për rrep, jo për pop, këto, që është një fenomen shumë interesant dhe nganjëherë dëgjojmë të diskutojnë që më shumë këta po vënë nga kjo muzikë…

Krasta: Se sa..

Plasari: Po se përbën një fenomen të veçantë…Fenomen të ri.

Krasta: Patjetër. Pëlqehet shumë në Shqipëri në fakt. Ashtu është.

Plasari: Po ashtu edhe në letërsi. Unë për vete i shijoj ata autorë të mirë të Kosovës që respektojnë standardin, kanë dhe nuanca që ti e dallon menjëherë që është…

Në këtë kuptim, në art dhe në kulturë etj etj, këto janë një pasuri e madhe.

Çështjet politike pastaj janë çështje që nuk varen nga qeveritë e të dy vendeve, as nga drejtuesit e lartë, presidentët e të dy vendeve, janë, si e the ti ajo skakiera…

Krasta: Strategjia.

Plasari:..prej asaj. Historia e fundit që ka shqetësuar edhe Shqipërinë, edhe njerëzit në Shqipëri, historia e korrigjimit të kufijve, ishte një lloj çlirimi që ishte shpikje e një fondacioni privat, i cili ka prodhuar edhe reformën, që e kam parashikuar që do t’i ngjajë reformës së ndërhyrjes në kushtetutë të Adolf Hitlerit dhe do shkojë në favor të një akaparimi politik në favor të drejtësisë dhe jo të një drejtësie të pavarur. E kam shkruar në 2016-ën. Dhe që t’i biem shkurt, të një qeverie që është prodhuar nga një fondacion privat.

Pa u çliruar nga kjo, nuk do mund t’i afrohemi as edhe ndonjë vendi tjetër të ish-Europës lindore, të cilët janë të çliruar nga ajo dara e madhe e atij fondacioni që arriti deri sa t’u prodhonte qeveritë pa qenë i regjistruar si parti, por duke u kamufluar nën një parti të majtë.

Krasta: “Liberal Fascism”…

Plasari: “Liberal Fascism”!

Krasta: Do të duhet ta…

Plasari: Nuk e kam shkruar unë…mund të jap dhe tituj të tjerë po do i rëndojmë…

(Krasta qesh)

Plasari (pasi buzëqesh): Se do thonë të lexojmë njëherë këtë.

Krasta (pasi qesh): Do kishte qenë shumë. Japim një titull njëherë, “Liberal Fascism”.

Plasari: Këtë që të kuptojnë ç’ka ndodhur, si lindnin fashizmat dikur, edhe format elegante, në të cilat lindin në ditët tona, deri në kohën që ne jetojmë. Madje edhe pa u bërë ngjarje.

Krasta: Shumë faleminderit Aurel, është gjithmonë iluminuese…

Plasari: Të falenderoj unë!

Krasta: …kur ti vjen në studio.Fat për ne që kemi mundësinë t’ju intervistojmë!

Plasari: Të falenderoj!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.