Mon. Dec 16th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Ja sa do zgjasë protesta e Opozitës dhe plani i protestës

2 min read

Policia e Shtetit ka refuzuar kërkesën e opozitës së bashkuar që leja për protestën e sotme të ishte deri në mesnatë.

Në përgjigjen e saj, policia ka dhënë leje që protesta para godinës së Kryeministrisë të zgjasë deri në orën 21:00, pra vetëm dy orë.

Protesta do të nisë në orën 19:00, ndërsa mijëra qytetarë janë nisur nga rrethe të ndryshme të vendit për t’u bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Përfaqësues të opozitës shprehen se kohëzgjatjen e protestës nuk e përcakton dot policia, as drejtuesit e partive, por vetëm qytetarët në shesh, të cilët do të thonë fjalën e tyre.

Për protestën e sotme janë angazhuar mbi 1700 policë, përfshi këtu edhe pjesëtarët e Gardës së Republikës, FNSH dhe RENEA.

Në mbështetje të policisë do të jenë edhe makina të zjarrfikëses, ndërkohë që janë instaluar kamerat e sigurisë për të vrojtuar ecurinë e protestës dhe incidente të mundshme gjatë saj.

Referuar të dhënave të opozitës, disa mijëra qytetarë janë nisur drejt Tiranës, kryesisht me makina private, dhe një pjesë tjetër duke përdorur autobuset që janë në dispozicion.

Nga Shkodra, raportohet për rreth 5 mijë qytetarë, ndërsa nga Gjirokastra, Vlora e Korça, mbi 10 mijë.

Durrësi dhe Elbasani pritet të kenë edhe pjesëmarrjen më të lartë të mbështetësve të opozitës, kjo edhe për faktin se të dy qytetet kanë një afërsi të madhe me kryeqytetin.

Protesta e fundit e opozitës u organizua më 25 maj dhe ajo ishte tërësisht paqësore. Kjo është protesta e 7 kombëtare e opozitës prej 16 shkurtit.

Në të gjitha protestat opozita ka kërkuar largimin e Edi Ramës nga post ii kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Një ditë më parë, Partia Socialiste hapi fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 30 qershorit. Sot kryeministri Edi Rama do të jetë në Lezhë ku do të prezantojë kandidatët për kryetarë bashkie në këtë qark.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.