Sun. Mar 29th, 2020

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Dhimitër Zguro : Kryeministrit të vendit tim

3 min read

Kryeministrit të vendit tim,

Sot Partia Socialiste, dje Partia e Punës nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Partia që mbështes ka hequr dorë nga mandatet, nuk ka hyrë në zgjedhje dhe për rrjedhojë refuzoi të ishte pjesë e një show të dirigjuar nga ju, me pjesëmarrjen e veçantë të burokratëve me seli në Tiranë.

Ju thoni se PD ka frikë nga zgjedhjet dhe është në panik nga drejtësia. Nuk mundet që partia që luftoi frikën të ketë të tillë. Simboli i së djathtës është liria, frikën e kanë të tjerët. E kanë ata që ndaluan pluralizmin, vendosën diktaturën dhe e mbajtën atë duke forcuar shtetin policor dhe kultivuar frikën tek qytetarët. Nëse mendoni se drejtësia pas reformës do të jetë Drejtësi e mirëfilltë, bëni mirë që edhe ju të keni frikë e panik nga drejtësia, pasi nuk besoj se jeni më të kulluar nga kjo anë. Por duke thënë se është vetëm opozita ajo që ka frikë nga drejtësia a reforma si i thoni ju në gjuhën tuaj, më bëni të besoj se Drejtësia për të cilën flisni me kaq pathos do të jetë njësoj si Drejtësia Popullore dikur. Në qoftë kështu, jo vetëm opozita, por edhe qytetarët e thjeshtë duhet të kenë frikë.

Zgjedhjet me një kandidat, dhuna policore, propaganda, janë pjesë e trashëgimisë suaj politike qysh prej krijimit tuaj në vitin ’41.

Në një pikë keni të drejtë, ju keni bërë përparim në lidhje me sjelljen ndaj protestuesve. Sot qytetarët e Tiranës kanë fituar imunitet ndaj gazit lotsjellës dhe madje është bërë si buka e përditshme.

Ju nga njëra anë na flisni për Kushtetutën, ndërsa nga ana tjetër e keni shkelur atë në disa raste. Më flagranti ndër raste, ligji për Teatrin. Ku ishte Kushtetuta asokohe? Që kur ju dhunuesi më i madh i Kushtetutës, na flisni për të dhe parimet kushtetuese? Teksa përpiqeni që në sytë e shqiptarëve të dukeni më katolik se Papa, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Më duhet t’ju them se në tentativën tuaj për dukje, më shumë ngjasoni si klloun cirku, sesa si dikush me petkun e të shenjtës.

Edvin, do doja shumë të të besoja kur flet gjithë pathos për demokracinë, gjyqësorin, zgjedhjet, por më parë zgjedh të besoj veprimet e tua.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.