Sat. Apr 4th, 2020

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Nga Gramoz Ruçi tek Tom Doshi kush janë 170 zyrtarët që janë NON GRATA në SHBA

8 min read

Deputeti i PS, Gramoz Ruci dhe deputeti Tom Doshi, gjate nje seance parlamentare, ku ne rend te dites eshte shpallja e moratoriumit 10 vjecar qe ndalon prerjen e pyjeve ne Republiken e Shqiperise. /r/n/r/nLawmakers, Gramoz Ruci and Tom Doshi, during a parliamentary session.

Ambasada amerikane fillon selektimin e politikanëve shqiptarë.

Teksa disa ditë më parë u përfol për refuzim vize për Petrit Vasilin, emra të rinj po dalin tashmë në skenë.

Refuzimi i dhënies së vizave për të udhëtuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mekanizëm që përfaqësitë diplomatike amerikane e vënë në zbatim jo vetëm ndaj personave që konsiderohen si të rrezikshëm për sigurinë kombëtare, por edhe ndaj zyrtarëve shtetërore të një vendi të caktuar, për të cilët Uashingtoni ka indicie se janë të përfshirë në afera korruptive, apo qëndrime antiamerikane.

Kjo praktikë është ndjekur edhe nga Ambasada e SHBA në Tiranë. Ambasada vetë tregohet diskrete duke mos publikuar emrat e politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë, për të cilët dyshon e beson se janë të përfshirë në afera të mëdha korruptive, por rastet e bujshme me emra konkretë nuk kanë munguar.

Gramoz Ruçi ka qenë “viktima” e parë e këtij mekanizmi. Që prej vitit 2005 e deri në 2017, pavarësisht se ishte një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste, Ruçi nuk udhëtoi asnjëherë në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 2017, pasi u vu në krye të Parlamentit, opozita e riktheu në qendër të vëmendjes teksa e akuzonte se viza i refuzohej për shkak të lidhjeve me krimin.

Vetë Gramoz Ruçi nuk ka komentuar asnjëherë mbi këtë vendim të Ambasadës Amerikane, por ai që e mbrojti në 2017 ishte Kryeministri Edi Rama. Ai foli në shtator të 2017 për një gabim, që do të korrigjohej shumë shpejt dhe në dhjetor, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kohë, kuadri ligjor për reformën në drejtësi ishte i plotësuar dhe pritej dita-ditës nisja e procesit të vettingut. Pikërisht në këtë periudhë ingranazhet e mekanizmit të amerikanëve për refuzimin e vizave për zyrtarët shqiptarë të përfolur për korrupsion përshkallëzohet. Gjyqtarë, ish-gjyqtarë, prokurorë dhe ish-prokurorë u ndaluan për të udhëtuar në SHBA si të korruptuar. Vetë ambasada amerikane e konfirmonte këtë më 26 janar 2017, por publikimi i emrave konkretë i ndalohej nga kuadri ligjor mbi të cilin funksionon.

“Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale”, thuhej në deklaratë.

Pa emra dha pa një numër të saktë e personave që u është refuzuar viza deklarata sqaronte në atë kohë se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vettingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionit, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”.

Një numër i përafërt zyrtarësh shqiptarë të ndaluar për të shkelur në SHBA nuk u dha. Por, rastet e refuzimeve po shpeshtoheshin. Njëri prej tyre ishte dhe emri i Besnik Imerajt, në atë kohë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Në media u publikua një kërkesë për informacion drejtuar ambasadës amerikane nga ana e kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja mbi arsyet e refuzimit të vizës për Imerajn. Besnik Imeraj dha dorëheqjen më 31 janar, duke mos iu nënshtruar vettingut.

Refuzimi i Besnik Imerajt mbante datën 26 janar 2017, pikërisht ditën kur ambasada amerikane njoftoi “listën e zezë”. Pak ditë pas kësaj deklarate do të zbulohej emri i prokurorit të nivelit të lartë, bashkëshortja e të cilit, sipas ambasadës, kishte abuzuar me vizën e dhënë. Bëhej fjalë për Adriatik Llallën, ish-kryeprokuror i vendit, i dorëhequr para nisjes së procesit të vettingut. Ambasadori Donald Lu e akuzonte Llallën edhe për përfshirje në afera të mëdha korruptive. Pas një përplasje të fortë publike, Llalla-Lu, DASH e shpalli ish-kryeprokurorin non grata.

Në atë kohë u përfol se edhe vetë kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i ishte refuzuar dhënia e vizës, por lajmi u përgënjeshtrua nga vetë Dedja. Ky i fundit u përball me vettingun, duke e kaluar testin e parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më vonë.

Vendimet e refuzimit të dhënies së vizave të reja dhe ato të revokimit të vizave ekzistuese u shtrinë edhe në klasën politike. Vangjush Dako ishte emri i parë, të cilit iu mohua familjarisht udhëtimi në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryebashkiaku i Durrësit e pranoi këtë fakt, por tha se refuzimi nuk lidhej me akuza për korrupsion, por për mungesë dokumentacioni.

Pak muaj pas tij, në prill të 2018 del në publik emri i deputetit Tom Doshi. Ndryshe nga Dako, për Tom Doshin foli drejtpërdrejtë Departamenti Amerikan i Shtetit. Arsyeja ishin dyshimet për përfshirje në afera korrupsioni madhor. Doshi u bë zyrtari i dytë që shpallet “non grata” nga SHBA.

Përflitej se lista ishte shumë më e zgjeruar, por vetëm në shkurt të këtij viti, Ambasada Amerikane në Tiranë sinjalizoi se bëhej fjalë për rreth 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të cilëve u ishte refuzuar ose hequr viza amerikane. Pjesa dërrmuese e listës besohet se përbëhet nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të sistemit të drejtësisë, apo persona atë tjerë që kundërshtuan reformën në këtë sektor.

Kjo nuk përjashton që mes emrave të jenë figura me peshë të klasës politike shqiptare. Njërin prej tyre e sinjalizoi Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare të 31 janarit të këtij viti. Rama e sfidonte paraardhësin e tij, Sali Berisha që të udhëtonte në drejtim të SHBA, nëse udhëtonte dot. “Po të pyes ty tani Sali, ti e kapërcen dot oqeanin Sali?!”.

Berisha mohoi se i ishte refuzuar viza për pjesëmarrjen në një aktivitet përtej Atlantikut dhe se mospjesëmarrja ishte një zgjedhje personale.

“Kam marrë ftesa përtej oqeanit, por unë nuk shkoj.Nuk bëj unë udhëtim zyrtar.Nuk jam personi që përfaqësoj një forcë politike.E kam të vendosur që nuk udhëtoj për qëllime zyrtare askund”, u përgjigj ai.

Debati riktheu edhe njëherë tjetër në qendër të vëmendjes këtë temë. Ambasada Amerikane reagoi sipas standardit të saj, duke mos komentuar në përplasjen Rama-Berisha dhe duke sqaruar se bëhet fjalë për një proces bllokimi të vizave, ku në dy vitet e fundit u ishin ndaluar 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë.

Por, pak muaj nga kjo përplasje, kjo çështje është rikthyer sërish, këtë herë nga Zëri i Amerikës. Gjatë një interviste me Monika Kryemadhin, gazetarja e Zërit të Amerikës rikujtoi se bëhet fjalë për rreth 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë shqiptarë që u është ndaluar hyrja në SHBA dhe pyeti nëse mes tyre ishte edhe emri i Petrit Vasilit. Kryemadhi nuk i dha një përgjigje të prerë, ndërsa vetë Vasili e mohoi këtë.

A është apo jo Petrit Vasili në këtë listë, pak rëndësi ka. Ato që kanë rëndësi janë shifrat e publikuara nga Ambasada Amerikane. Pra, në Shqipëri kjo ambasadë ka identifikuar 170 prokurorë, ish-prokurorë, gjyqtarë, ish-gjyqtarë dhe politikanë të dyshuar si të përfshirë në afera korruptive.

Ambasada amerikane thotë se këto vendime i merr pas informacioneve që grumbullon nga burime e kanale të shumëfishta. Megjithatë, sërish ato mbeten vendime të përfaqësisë diplomatike të një vendi mik, që nuk i bën fajtorë emrat në këtë listë. Por, vendimeve të ambasadës amerikane u janë referuar shpesh politikanë të të dyja kaheve në Shqipëri, pa pritur një vendim gjykate, për të sulmuar kundërshtarët e tyre si të korruptuar.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është treguar edhe më e drejtpërdrejtë se përfaqësia amerikane në Tiranë. Ajo njoftoi se nuk do t’iu lëshojë viza biznesi, apo për qëllime turizmi shtetasve të Kosovës që janë të përfshirë në raste të mëdha të krimit dhe korrupsionit.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese. Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve, të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit, të mos iu lëshohen viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Ambasada kujton disa raste të bujshme korrupsioni dhe aktiviteti kriminal.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk po vihet para përgjegjësisë, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar, që janë qartësisht të pranishme në rastet “Pronto, viza italiane”, arratisja nga burgu i Dubravës, “Toka” dhe ‘Apex’, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, vijon deklarata.

Ambasada sqaron se zyrtarët konsullorë do të shqyrtojnë me imtësi faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe informatat negative për aplikuesit. “Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara”, mbyllet deklarata ambasade

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.