Mon. Dec 16th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Lajmi Fundit : Dëshmitari kyç në dosjen Tahiri arratiset nga burgu ja kush është

2 min read

Arratiset në Itali, Sabaudin Çelaj, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Moisi Habilajt, njëherazi njeriu që implikon më së tepërmi në përgjimet e Prokurorisë së Catanias ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Lajmi u bë i ditur në Gjykatën për Krime të Rënda, e cila po shqyrton dosjen penale ndaj vëllezërve Moisi e Florian Habilaj, si dhe 7 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Gjykata tha se Çelaj ka thyer masën e “arrestit shtëpiak” duke u zhdukur pa gjurmë, ç’ka ka detyruar autoritetet italiane ta rendisin emrin e tij në listën e të shumëkërkuarve.

I vetmi i pandehur i paraburgosur në Shqipëri është Armando Koçeri, pasi të gjithë të tjerë ndodhen ose në paraburgim ose nën masën e “arrestit shtëpiak” në shtetin fqinj.

Trupa gjykuese tha se është në pamundësi të zhvillojë seancën, përderisa të pandehurit që po gjykohen në mungesë nuk kishin marrë dijeni për procesin sipas parashikimeve ligjore.

Ndaj e vetmja mundësi ishte shtyrja e procesit. Megjithatë në pak minuta, të qëndrimit në sallën e gjjyqit, trupa u përball me një ankesë të Koçeri.

Ai kërkoi që kamerat të mbaheshin larg sallës së gjyqit, pasi sa herë del në ekran, fëmijët e tij shqetësohen dhe përjetonin stres.

Dosja ndaj të pandehurve, mes tyre edhe Nezar Seiti, i cilësuar si financiar i grupit, u dorëzua në gjykatë, në muajin mars të këtij viti, pas një viti hetimesh të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikimit të narkotikëve, grupit kriminal dhe mbajtjes pa leje të armëve.

Grupi në fjalë dyshohet për kultivimin e dhjetëra hektarëve me hashash në Vlorë dhe më pas trafikimin e sasive drejt shtetit fqinj. Në të njëjtin grup kriminal, që drejtohej nga Moisi Habilaj, dyshohet të jetë përfshirë edhe Saimir Tahiri, i cili pritet të nisë përballjen me drejtësinë me 19 qershor.

Që procesi në Shqipëri ndaj Habilajve dhe miqve të tyre të zhvillohet normalisht, duhet që të pandehurit të marrin dijeni në rrugë ligjore, ndaj për këtë arsye gjykata urdhëroi të ripërsëriteshin fletëthirrjet. Seanca e radhës u caktua më 11 qershor.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.