Sat. Apr 4th, 2020

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Dialogu si vaksinë e pushtetit

3 min read

Nga Marlin Muca

U bë disa vite tashmë që ndjek protestat e shoqërisë civile në Shqipëri. Më shumë sesa formë reagimi, protestat e Tiranës janë një mënyrë interesante për të kaluar pasditen dhe për të njohur njerëz të rinj. Përpos kënaqësise që përfton nga njohja me njerëz të rinj, nuk mund të të mos bëjë përshtypje bilanci tragjik i këtyre salloneve të kohëve modern. Tragjedia nuk qëndron shumë te humbja e kauzës sesa pasoja që kjo humbje sjell për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rasti i Parkut të Liqenit apo protesta kundër HEC-it në Valbonë dëshmojnë qartë se një nga një, parqet natyrore dhe ato artificiale po bien pre e babëzisë së paskrupullt të oligarkëve për hapësira publike.
Një analizë jo dhe aq e thelluar mbi dinamikën e kauzave vitet e fundit mund të hedhë dritë mbi arsyet pse protestat dështojnë dhe pushteti fiton nota gjithnjë e më të forta autoritarizmi. Arsyet janë të shumta për t´u shtjelluar brenda këtij shkrimi, mirëpo do të mjaftonte vetëm një kërkim i thjeshtë në rrjet për të kuptuar se pika ku thyhen të gjitha llojet e rezistencave është një: Dialogu
Dialogu përbën dicka krejt formale në një demokraci normale ku komunitetet kanë mundësi reale përfshirjeje në vendimmarrjen publike të institucioneve vendore apo qëndrore. Edhe kur ky process nuk është i mundur, liderët e protestave e kanë të lehtë qe me pak presion në rrugë ta bindin cdo pushtetar përmes forcës së numrave. Për fat të keq ky nuk është rasti i Shqipërisë. Të nxitur nga interesa meskine apo të shtyrë nga numrat e paktë në rrugë, organizatorët e protestave janë detyruar ta fusin kauzën në hulli konvencionale duke i dhënë mundësi aparatit propagandistik të Rilindjes ta shfryjë apo ta normalizojë një situate që me të vërtetë mund të jetë emergjente. Vetë imazhi i palëve që ulen në tavolinë nënkupton se akordi është afër dhe nuk ka vend për organizimin e mëtejshëm të shoqërisë në mbrojtje të aksh cështjeje publike.
Autoritarizmi si dhe tendenca për ta blerë në kuptimin e parë të fjalës rezistencën popullore në embrion e bën dialogun një karrem ku shoqëria civile bie në mënyrë të (pa) ndërgjegjshme në kurthin e kompromisit. Në këto kushte, zgjidhja e duhur do të ishte ndërprerja e cdo komunikimi formal ose jo-formal me pushtetin dhe institucionet e tij. Eksperienca e legjitimon këtë skenar radikal. Në këtë mënyrë edhe kauzat fitohen; edhe besueshmëria e publikut rritet te përfaqësuesit e interesit publik.
Studentët e dhjetorit u ulën me Ramiz Alinë vetëm kur pluralizmi politik ishte e sigurt që do të lejohej.
Populli i Tiranës nuk prit miratimin e Byrosë Politike për të tërhequr zvarrë trajtën e bronztë të diktatorit
Protestuesit e armëve kimike nuk ranë pre e propagandës 1.0 të Rilindjes, por u shtruan në shesh dhe refuzuan të largoheshin derisa të merrnin përgjigjet që meritonin.
Pra, ajo cka mësojmë nga e kaluara na lë të kuptojmë se dialogu është instrument i demokracive të konsoliduara dhe jo i demokracive hibiride me adn që anon nga e shkuara diktatoriale.Tryezat janë vaksina qe pushteti përdor në ruajtjen e jetëgjatësisë së tij. Mos pranon të uleni me njerëz që manipulimin e kanë lejt motiv të karrierës së tyre politike. Do të humbisni dhe bashkë me ju edhe resurset e pakta që i kanë ngelur këtij kombi

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.