Mon. Dec 9th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Një mesazh tjetër nga Game of Thrones

4 min read
© HBO

Mjafton të ndjekim një serial televiziv si Game of Thrones, që të kuptojmë të mirat që na sjell një sistem i demokracisë liberale. Pas përfundimit — të papritshëm — të këtij seriali, një numër i madh opinionesh dhe editorialesh u botuan nëpër mediat ndërkombëtare, por edhe në disa shqiptare. Në historinë e kinemasë, asnjë serial tjetër televiziv nuk ka marrë kaq shumë vëmendje nga politologët dhe opinionistët e politikës. Kjo është veçantia dhe gjithë morali që Game of Thrones mundohet të përcjellë tek audienca e gjerë. Në fakt, shumë pak e kuptojnë.


Nga Eden Kollçinaku

Përgjatë zhvillimit të ngjarjeve, autorët — edhe të serisë së librave edhe të serive televizive — kanë konservuar një element të përbashkët: mungesën e një demokracie liberale. Është shumë interesant fakti, se mungesa e institucioneve të një demokracie liberale është diçka e tmerrshme për një popull të thjeshtë. Mungesa e ndarjes së pushteteve, mungesa e një qeverisjeje të kufizuar dhe mungesa e këtyre institucioneve e kthyen kryeqytetin fiktiv, King’s Landing, në një tokë të shpopulluar dhe të djegur. Tërbimi dhe çmenduria e Daenerys Targaryen ishte diçka që askush nuk e priste; madje, ajo shihej si liderja që do t’iu jepte njerëzve lirinë. E kundërta ndodhi, ajo dogji një qytetërim të tërë vetëm për të arritur qëllimin e saj parësor, që nga episodi i parë. Këtu kthehemi tek pushteti dhe dëshira e sunduesve për pushtet. Është shumë aktuale.

Rasti i Daenerys nuk është i vetmi që tregon dëshirën dhe sakrificën e madhe për pushtet. Disa sezone më parë, një personazh tjetër që kërkonte trashëgiminë e fronit, Stannis Baratheon, sakrifikon vajzën e tij të sëmurë, për të pasur mot të mirë dhe të qëndrueshëm gjatë sulmit me anije. (Këtu hapet edhe një çështje tjetër: feja dhe shteti ishin të pandarë. Besimi tek Zotat e Rinj dhe të Vjetër ishte i domosdoshëm për të gjithë. Kushdo ishte besimtar.)

Pushtetin nuk e kërkojnë vetëm trashëgimtarët, por edhe njerëz jashtë rradhëve. Ai që e portretizon më mirë këtë është Lord Baelish — ose siç njihet ndryshe, Littlefinger. Mënyra e tij për të fituar pushtet ishte intriga. Ai vepronte vetëm, pa asnjë njeri që t’a këshillonte në lidhje me lëvizjet e rradhës. Ai arriti deri aty sa të çonte në luftë miq, motra dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Dështimi i tij erdhi nga besimi i tepërt që ai kishte për hapat që po hidhte vetë.

Përveç kërkesës për pushtet, gjatë zhvillimit të ngjarjeve shohim edhe një keqmenaxhim të pushtetit. Përshembull, mbreti Robert Baratheon e përdorte pushtetin e tij për t’u vetëkënaqur, për të ngrënë dhe për të pirë. Kjo gjë vihet re kur një personazh si Twyin Lannister thotë se Robert Baratheoni nuk e kuptonte ndryshimin mes fitores dhe sundimit.

Përfundimi i serialit ishte e kundërta e asaj që shumë persona kishin parashikuar të ndodhte. Një nga mbretëritë shpalli pavarësinë. Mbret u zgjodh dikush që nuk kishte trashëgimtar i fronit. Zgjedhja e Branit si mbret i Uesterosit, për më tepër, u bë në formën e një demokracie indirekte — diçka që indikon se shoqëria mesjetare e Game of Thrones po shkon drejt modernizimit, vlerave të lirisë dhe pavarësisë. Kjo është ajo që e bën Game of Thrones kaq të përfolur dhe ndryshe nga çdo film/serial tjetër.

Nëse e krahasojmë përfundimin e Game of Thrones me përfundimin e Lord of the Rings, të autorit Tolkien, shohim vetëm kontrast. Nëse e keni lexuar ose t’a keni parë triologjinë e filmave te Lord of the Rings, lufta zhvillohet vetëm midis së mirës dhe të keqes. Pra, problemi i Lord of the Rings nuk qëndron tek pushteti, por tek e mira dhe e keqja. Pra, Tolkien na thotë se njerëzit mund të jetojnë të lumtur nëse sundon një njeri i mirë. Gjithë këtë tezë që J.R.R. Tolkien ndërtoi në librat e tij, mund t’a rrëzojë fare lehtë një serial si Game of Thrones, i cili është i lidhur me realitetin gati në gjithçka. Nuk mjafton dëshira e një njeriu për të sunduar — qeverisur — mirë. Ngritja e institucioneve, vendosja e ligjeve dhe ndarja e pushteteve janë gjërat më të rëndësishme për  funksionimin e një sistemi të bazuar tek liria e individëve, siç është demokracia liberale.

Nëse Tolkien — përveç tij edhe shumë autorë të tjerë — i la opinionistët politikë pa një përfundim realist dhe pa mesazh, HBO (kompania filmike e Game of Thrones) është kujdesur që të servirë fundin më kuptimplotë, për këdo. Kjo është veçantia e Game of Thrones; prandaj ky serial televiziv ka marrë kaq shumë vëmendje nga kushdo; prandaj këtë serial mund t’a quajmë një histori suksesi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.