Thu. Oct 17th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Taulant Balla ” kërcenon ” opozitën

3 min read

Drejtuesi Politik i PS në Qarkun e Elbasanit Taulant Balla prezantoi listën e 51 kandidatëve për këshilltarë të PS në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Në një tryezë me deputetët e Elbasanit, kryetarin aktual të bashkisë dhe kandidatin për kryetar në zgjedhjet e 30 Qershorit Gledian Llatja, Balla prezantoi të 51 emrat të zgjedhur me kujdes nga strukturat e PS.

Balla theksoi se në të ardhmen bashkëpunimi mes deputetëve dhe këshilltarëve duhet të jetë më i madh, madje propozoi takime të përmuajshme mes palëve, për të diskutuar problematikat e marra nga takimet me qytetarët.

Balla uroi kandidatët në rrugën e tyre ndërsa vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe momentin e rëndësishëm në të cilin ndodhet vendi.

“Kodi Zgjedhor parashikon që 30 qershori është afati i fundit për zgjedhjet vendore. Është shumë e rëndësishme që ne t’i përmbahemi respektimit të parashikimeve të Kodit Zgjedhor përsa i përket zhvillimit të fushatës. Fushata do të zhvillohet vetëm në 30 ditët e parashikuara nga kodi dhe për ne si Parti Socialiste, zhvillimi i një fushte në respektim të të gjitha kushtëzimeve që vendos Kodi Zgjedhor është mjaft e rëndësishme.

Zgjedhjet do të zhvillohen. Kush guxon të pengojë, qoftë edhe një zgjedhës të vetëm të shkojë për të ushtruar të drejtën e vet, Kodi Penal është i qartë. Të gjithë e dinë se çfarë i pret nëse guxojnë të pengojnë një zgjedhës të shkojë të votojë, nëse guxojnë të dëmtojnë një qendër votimi, apo një material votimi. Derisa të fillojë fushata, ne jemi shumë të vetëdijshëm se Shqipëria pret një vendim shumë të rëndësishëm siç është fillimi i bisedimeve për anëtarësim, rekomandimi i Komisionit Europian, i cili me të gjitha gjasat dhe konfirmimet do të jetë një rekomandim pozitiv.

Çdo përpjekje, qofshin me bomba molotov, apo me dhunë kundër institucioneve për të penguar fillimin e bisedimeve, për të penguar rrugën europiane të Shqipërisë, për të penguar vijimin e mëtejshëm të Reformës në Drejtësi nuk ka për t’ja dalë dot. Kjo është një gjë e sigurt. Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ne duhet të ecim në rrugën e nisur.” u shpreh Balla.

Përzgjedhja e kandidaturave për Këshillin Bashkiak të Elbasanit është bërë në respekt të plotë të barazisë gjinore, po ashtu njësitë administrative do të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Qytetit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.