Wed. Dec 11th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Fashizmi është arritja më e madhe e Rilindjes

4 min read

Përhapja e fashizmit në Italinë e viteve 1920 krijoi një epokë të re për të gjithë kontinentin europian. Botimi i Doktrinës Fashiste në vitin 1932 ishte baza e plotë e kësaj ideologjie totalitare, ndjekësit e së cilës sollën vetëm shkatërrim dhe terror.

Nga Eden Kollçinaku

Zakonisht, njerëzit e njohin shumë mirë babain e kapitalizmit, Adam Smithin. Njohin shumë mirë edhe babain e komunizmit, Karl Marksin. Por, po t’i pyesësh se kush është babai i fashizmit, ata ngelen. Jo se kanë faj, por në librat e historisë ky fakt nuk është përmendur asnjëherë. Giovanni Gentile ishte një filozof italian, i cili punoi si Ministër në qeverinë fashiste të Benito Mussolinit. Ishte pikërisht Giovanni, influencuesi kryesor që e shtyu Italinë e atyre viteve drejt kësaj doktrine famëkeqe.

Ndërkohë, propaganda e vazhdueshme që është bërë, ka pasur një rezultat të shkëlqyer. Gati 90% e njerëzve e konceptojnë fashizmin si një ideologji të djathtë ekstreme. Në fakt, kjo është e gjitha një gënjeshtër.

Jason Stanley, një filozof amerikan në universitetin Yale, e përkufizon fashizmin si një doktrinë që përqëndron fuqinë dhe pushtetin, pra: një mjet me të cilin bashkon gjithë pushtetet në një të vetëm. Jam shumë dakord.

Pa shtuar edhe argumentet e politikave fiskale të fashizmit, vetëm me këtë përkufizim politik, mund t’a quajmë fashizmin si një ideologji majtiste. Majtistët gjithmonë i janë përkushtuar pushtetit dhe fuqisë së tyre. Rasti më ekzemplar është diktatori Enver Hoxha, një komunist që përqëndroi gjithë pushtetet në një dorë. Një shembull tjetër është edhe Maduro në Venezuelë. Lideri socialist trashëgoi dhe vazhdoi doktrinën e mentorit të tij Chavez dhe e çoi vendin e tij në një kolaps total. Tani po përhap terror mbi venezuelianët.

E djathta, ndryshe nga fashizmi dhe idetë e tjera, përqëndron vëmendjen e saj tek individi dhe jo tek shteti. Politikat e djathta dhe liberalizmi ekonomik e kanë modernizuar botën dhe i kanë dhënë liri njerëzimit. Ndërkohë, vite më parë, të flisje për lirinë ishte akoma një tabu dhe njerëzit ishin të detyruar të jetonin nën sundimin e një lideri — kushdoqoftë ky lider — interesi i vetëm i të cilit ishte pushteti.


Nëse flasim për Shqipërinë, njohësit e ndasive politike mund bien në një mendje se sistemi që ka krijuar Rilindja — jo Partia Socialiste — i përngjan një doktrine fashiste. Ka shumë arsye për t’a besuar këtë.

Liria ekonomike dhe individuale në Shqipëri është në një nga nivelet më të ulëta. Gjobat e qeverisë, taksat e larta, rregullimet e shumta dhe kontrolli i lartë që shteti ka mbi sipërmarrjen, pak nga pak, po ia jep gjithë kompetencat e pushtetit qeverisë. Mos harrojmë se gjithë këto politika kanë sjellë rritjen e korrupsionit — Transparency International e rankoi Shqipërinë në vendin e 99 nga 180 vende, në bazë të nivelit të korrupsionit në vitin 2018.

Dua të shtoj këtu edhe lirinë e internetit në vendin tonë. Megjithëse, teorikisht shteti nuk e ka shtuar shumë influencën e tij mbi internetin (teorikisht edhe paketa anti-shpifje nuk kategorizohet influencuese, praktikisht po), në Shqipëri kemi një ushtri të madhe me anëtarë të Forumit Rinor Euro Socialist, të cilët merren gjithë ditën me raportime dhe bllokime portalesh. Liria jonë në internet është shumë e kufizuar.

Sistemi i drejtësisë, gjithashtu, u ndryshua në bazë të disa politikave shumë të këqija, duke e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë. Pavarësisht, kur këto institucione të rikthehen në funksion, shumica e gjyqtarëve do të jenë thjesht ushtarë të krahut të Rilindjes. Në këtë mënyrë, pushteti gjyqësor mund të quhet i kapur. Kjo i ngjan shumë asaj që Chavez bëri në Venezuelë: dyfishoi numrin e gjyqtarêve në mënyrë që të vendoste gjyqtarët e tij.

Për pushtetin legjislativ s’ka pse të flitet. E dimë të gjithë që ky pushtet gjithmonë i ka shërbyer ekzekutivit (në Shqipëri) me besnikëri dhe vendosmëri. Jo vetëm gjatë kësaj qeverisjeje, edhe më përpara.

Madje, edhe Nexhmije Hoxha, zonja e ish-diktatorit, e ka kategorizuar Rilindjen si një “bandë fashiste,” gjatë një interviste në lidhje me kauzën e banorëve të zonës së Astirit. E vetmja herë që unë bie dakord me zonjën.

Ka shumë gjëra të tjera që duhen të përmenden në këtë artikull; që tek programi i Rilindjes Urbane, largimet e shqiptarëve dhe deri tek konferencat e shtypit të kryeministrit Rama. Çdo gjë i përngjan fashizmit.

1 thought on “Fashizmi është arritja më e madhe e Rilindjes

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.