Mon. Aug 19th, 2019

Demokracia

Fjala e lirë e shtypit

Kulisat e zgjedhjeve/ Si e anuloi Erdogan garën për Stambollin

7 min read

Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve në Turqi anuloi ditën e djeshme zgjedhjet lokale të Stambollit, ku fitoi kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan kërkoi anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve pas arrestimit të disa personave nën akuzën e implikimit manipulativ në garën elektorale, përfshirë këtu punonjës të administratës lokale, që dyshoheshin për lidhje me ish-imamin turk dhe “armikun e përbetuar”, Fetullah Gylenin-in.

Me qindra protestues janë derdhur rrugëve qendrore të Stambollit, duke shprehur përmes sloganeve anti-qeveritare mospajtim ndaj vendimit për rimbajtjen e votimit më datë 23 qershor. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nën drejtimin e Erdogan, në një ankesë shkrimore drejtuar Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve, pretendon se në 39 zona zgjedhore të Stambollit, ka patur parregullsi dhe korrupsion gjatë procesit të votimit.

Imamoglu, kandidati i Partisë Republikane të Popullit (CHP), që rezultoi fitimtar në garën për postin e kryebashkiakut ndaj pretendentit rival të AKP-së, ish-kryeministrit, Binali Yıldırım, e cilësoi vendimin e organit zgjedhor, si një akt tradhëtie, që cënon vullnetin e sovranit. “Ne nuk do të kompromentojmë asnjëherë parimet tona. Ky vend është i mbushur me 82 milionë patriotë që do të luftojnë deri në castin e fundit për demokracinë.”- u shpreh Imamoglu.

Megjithatë, dy qytetet më të mëdha të Turqisë, kryeqyteti i Ankarasë dhe Stambolli, rezultojnë të jenë shkëputur pa kthim nga zotërimi i liderit autoritar të AKP-së. Humbja bindëse e partisë së Erdogan në Ankara në këto zgjedhje të ashpra lokale kundrejt kandidatit për kryetar bashkie të Partisë Republikane Popullore (CHP), Mansur Yavaş, i jep fund dominimit prej 25 vjetësh të partisë islamike mbi kryeqendrën e jetës politike turke.

Beteja për bashkinë e Stambollit ishte aq e skajshme dhe në kufi të balotazhit, saqë në të hyrë të mesnatës së 1 prillit, publiku u bë pre e një ambivalence informative, pasi secila prej palëve deklaronte fitoren. Humbja në Stamboll e goditi në vetë të parë Erdoganin, i cili nisi ngritjen e tij meteorike si politikan pikërisht në cilësinë e kryebashkiakut të qytetit më të madh të Turqisë në vitet 1990, duke artikuluar shpesh thënien pothuaj proverbiale se “kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë”.

Mes recesionit të parë të Turqisë përgjatë një dekade, problematikat lokale u nënvlerësuan gjatë kësaj fushate, pasi zgjedhjet komunale u kthyen në një provë të popullaritetit të Erdoganit. Për 17 vjet në pushtet, Erdogani arriti ta projektonte me sukses veten si garantues të prosperitetit dhe të mirëqenies së popullit turk, por shifrat faktojnë një realitet diametralisht të kundërt. Kostot e jetesës kanë ardhur veçse duke u ulur, inflacioni ka kapur shifrën 20 % dhe çmimet janë rritur me më shumë se 30 %. Kuptueshëm, në këto rrethana, pakënaqësia sociale u përhap, madje edhe në vetë radhët e votuesve më konservatorë të AKP-së.

Presidenti vetë i përshkroi zgjedhjet si një test ekzistencial për vendin e tij, duke e cilësuar votimin “një çështje mbijetese”. Koalicioni i “Aleancës Popullore” i përbërë nga AKP-ja dhe Lëvizja Nacionaliste (MHP), arriti një fitore në rang vendi me diferencën e ngushtë prej rreth 51 % të votave. Pavarësisht kësaj, Erdogan vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të votuesve me rreth 82 %, duke e cilësuar si një leksion demokracie për mbarë botën.

Mirëpo, as retorika e Erdoganit dhe as skema e subvencionuar për perimet të qeverisë së tij nuk qenë të mjaftueshme për të bindur në masë votuesit e Turqisë. Madje, edhe me topin në fushën e tij, duke pasur një armatë mediatike në favor, Erdogan nuk ia doli dot mbanë.

Me disfatën në komunat metropolitane, AKP-ja humbi kontrollin mbi një rrjet patronazhi, që u lejon qeverive vendore të lidhin kontrata të dyshimta me biznese preferenciale. Ankaraja dhe Stambolli nuk ishin e vetmja goditje ndaj qeverisë. Aleanca AKP-MHP humbi gjithashtu në Adana, Antalia dhe Mersin – të trija në mesin e 10 qyteteve më të mëdha të Turqisë- dhe në një numër provincash anatoliane. CHP-ja, nga ana tjetër, mbrojti fortesat e saj në bregun e Egjeut, duke përfshirë fitoren në qytetin e tretë më të madh të Turqisë, në Izmir.

Nisur nga kjo tablo, ndanë vendimit arbitrar të rivotimit, duhet të jemi shpresëplotë se fitoret komunale të opozitës mund të kenë të ngjarë të dobësojnë pushtetin autoritar të Erdoganit, i cili që nga rizgjedhja si president vitin e kaluar, qeveris mbi Turqinë me fuqi të pakufizuara. Hap pas hapi gjatë viteve të pushtetmbajtjes, Erdogan, synoi të siguronte gjithkënd se askush nuk ishte në gjendje ta sfidonte.

Erdogan i margjinalizoi të gjithë kundërshtarët. Ai spastroi ushtrinë, policinë dhe gjykatat. Ai cënoi dhe asgjësoi lirinë e shtypit. Ai e instrumentalizoi Kushtetutën në zgjatim të fuqive të tij. Mbi të gjitha, ai u premtoi turqve një të ardhme ekonomike të shndritshme.

Pra, ishte vërtet një thagmë kur rezultatet e votimit komunal treguan se AKP-ja humbi jo vetëm kontrollin e Ankarasë, që përfaqëson qendrën e jetës politike turke, por edhe Stambollin, qendrën e jetës ekonomike të vendit, shtëpinë dhe pikën e mbështjetjes së deritanishme të Erdoganit. Ky bilanc përbën një metaforë të një tërmeti politik, që duhet të shkundë Z.Erdogan pas pothuaj dy dekadave uzurpimi të pamohueshëm të të gjitha pushteteve të Turqisë.

Duke iu druajtur pa shkak manipulimit të procesit të votimit dhe të numërimit, Erdogan vendosi si vëzhgues anëtarë të AKP-së jo vetëm për të mbikqyrur me përpikmëri ecurinë e zgjedhjeve, por edhe për të ruajtur kutitë e kyçura të fletëve të votimit. “Ne mendojmë se nuk ishin në gjendje të kontrollonin zgjedhjet”, u shpreh Ilayda Kocoglu, nënkryetarja e degës së Partisë Popullore Republikane (CHP), që veproi vetë si rojtare nate e kutive ku sovrani turk kishte “depozituar” vullnetin e tij.

“Flakërima” e këtyre zgjedhjeve lokale nuk nënkupton që Z.Erdogan, mandati i të cilit zgjat së paku edhe katër vjet të tjera, do të ndryshojë sjelljen dhe stilin autoritar të qeverisjes, që konsiston ndër të tjera në promovimin e vlerave fetare islame përkundër laicizmit, në afiliacione më të ngushta me Rusinë dhe marrëdhënie më armiqësore me NATO-n. Por, zgjedhjet treguan veçanërisht se Erdogani ka dobësi. “Është një katastrofë për të… Tani e dimë se ai nuk është i pamposhtur”, tha Asli Aydintasbas, një bashkëpunëtore e hershme i tij në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ekonomia e dobësuar e Turqisë qendronte në krye të shqetësimeve të votuesve, pavarësisht nga pretendimet dhe shfajësimet e Z. Erdogan se problemet nuk janë rrjedhojë e politikave të tij. Në mars Turqia ra në recesion, papunësia kaloi pragun e 30 % në radhët e të rinjve. Lira turke humbi 28 % të vlerës së saj në vitin 2018 dhe vazhdon të dobësohet, teksa inflacioni ka arritur në 20 %.

Erdogan konsiderohet përgjegjës për instalimin e një presidence perandorake në Turqi. Ai ndërmori një “raprezaljeje” të themeltë të administratës publike pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016, për të cilin fajësoi rivalin e tij klasik Gulen-in, klerikun që jeton aktualisht në Shtetet e Bashkuara. Nën autokracinë e udhëhequr nga Erdogan, Turqia u shndërrua në burgun më kanosës të gazetarëve të pavarur dhe kritikë.

Megjithatë, dominimi jetëgjatë i Erdoganit mbi Turqinë i atribuohet gjithashtu talentit tij të padyshimtë në politikë, si edhe dështimit të partisë kryesore opozitare, CHP-së, për t’u përfaqësuar nga kandidatë të një kalibri të krahasueshëm. Këtë herë, vendosmëria e opozitës u shoqërua me një mbështetje mbarëpopullore, që shprehej duke variuar nga manifestimi i euforisë së elektoratit të saj pas daljes së rezultateve paraprake, e deri tek solidarizimi i gjerë i përkrahësve të tjerë përmes Twitter-it apo rrjeteve të tjera sociale.

Stambolli e përzuri Erdoganin, i cili shpeshherë me dashuri dhe emocion për këtë qytet që ka shërbyer si epiqendra e pushtetit të tij. Aleanca e opozitës pati një sukses të papritur, për arsye se arriti t’i bindte votuesit të zgjidhnin në mënyrë racionale, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike. “Votat nga minoriteti kurd dhe nga konservatorët e pakënaqur që vendosën të braktisnin Erdoganin ishin kritike”, ka qëmtuar Aydintasbas, e cila ka ndjekur nga afër karrierën e zotit Erdogan.

Kundërshtimi i rezultatit të ngushtë të votimeve në Stamboll, u paralajmërua nga sekretari i përgjithshëm i AKP-së, Fatih Sahin me pretekstin e parregullsive gjatë procesit të numërimit, që në të ngrysur të 1 prillit, që dukej aq ligsht i gënjeshtërt si asnjëherë më parë. Aydintasbas vëren se ndonëse Erdogan kuptoi fare mirë se sa qesharak do të dukej pas kërkesës së dëshpëruar për të rishtënë në dorë Stambollin e lakmuar nga çdo palë pushtetarësh, vendosi të flakte me përdhunë legjitimitetin prej kutive të votimit, duke vënë në dyshim reputacionin e sistemit elektoral turk, i cili e ka përligjur atë vetë gjatë qeverisjes për 17 vjet me radhë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Copyright © Demokracia.co, 2019. Newsphere by AF themes.